Gjysma e vendit rrezikon të mbetet pa energji, në rast se pas dëmtimit të shtyllës së tensionit të lartë të linjës Tirana2 - Podgoricë, në Fushë Krujë do të sjellë dhe stakimin e energjisë elektrike. Mësohet se nga shpërthimi i tritolit është dëmtuar njëra nga këmbët e shtyllës, çka rrezikon jo pak stakimin e kësaj linje. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë Njësitë Speciale OST të cilat po punojnë me qëllim parandalimin e stakimit të kësaj linje.
Njoftim për mediat nga OST:
“Informacion nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST)
Vendosja e eksplozivit ka dëmtuar një nga këmbët e shtyllës të linjës të tensionit të lartë 400kV, Tirana2 - Podgoricë, në Fushë Krujë.
Aktualisht, Njësitë speciale të OST janë duke ndërhyrë për të shmangur stakimin e kësaj linje që do kishte pasoja shumë të rënda në furnizimin me energji elektrike në vend. Flukset e energjisë që injektohen në këtë linje sot janë 50% e konsumit në gjithë vendin. OST dënon këtë akt të rënde kriminal dhe ka kryer veprimet proceduriale në organet e drejtësisë me synim gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë”.