Ishte një rezultat i papritur për të gjithë, por sa më shumë kalojnë orët aq më i paparashikuar po bëhet.
U përfol gjatë se Hillary Clinton kishte përballë saj kandidatin për President me popullaritetin më të ulët në historinë e Amerikës, dhe përsëri nuk ia doli të fitojë. Por duket se të dhënat e reja me shumë gjasë do t’ia bëjnë humbjen edhe më të hidhur. Pavarësisht se fitorja e Trump po bëhet gjithmonë e më e bindshme në numër votash elektorale, ku aktualisht janë 289 me 218 në favor të kandidatit republikan, rezultatet e votës popullore flasin për një histori totalisht të ndryshme. Aty jo vetëm janë afër, Clinton është ajo që po fiton, me 0.01% të votave më tepër (47.5 me 47.6) ose diku tek 130 mijë vota. Kujtojmë se në Amerikë ekziston parimi “the winner takes it all” (fituesi i merr të gjitha) dhe nuk ka rëndësi se sa mbaron rezultati në një shtet të caktuar, fituesi i merr të gjithë votat elektorale. Një histori e ngjashme ndodhi në vitin 2000 kur përballë ishin George W. Bush dhe Al Gore, ku megjithëse ky i fundit fitoi me afërsisht 500 mijë vota para për sa i përket votës popullore, ai iu dorëzua votave elektorale, me Bushin që u ul në krye të Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë numërimi nuk ka përfunduar ende dhe nuk është e habitshme që njeriu i sfidave të pamundura ta kthejë edhe këtë rezultat.