INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tsipras mesazh Erdoganit: Boll me kërcënime dhe provokime

Tsipras mesazh Erdoganit: Boll me kërcënime dhe provokime

Publikuar më: 12:04 24-03-2018

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka dërguar mesazhin më të ashpër në drejtim të Ankarasë që prej përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve. Duke komentuar mbi provokimet e fundit turke në Egje, Tsipras tha se Greqia është e vendosur të mbrojë të drejtat e saj sovrane kundër çdo kërcënimi dhe të mbrojë kufijtë e saj, të cilat janë gjithashtu kufijtë e BE. "Duhet t'i bëhet e qartë Turqisë se duhet të braktisë provokimet e saj të vazhdueshme pasi nuk ka asgjë për të fituar prej tyre," tha ai. “Turqia duhet të heqë dorë nga kërcënimet dhe provokimet e vazhdueshme. Jemi përballë një ndryshimi thelbësor të sjelljes së saj në rajon. Greqia do të vazhdojë të mbajë të hapur kanalet e komunikimit për të bashkëpunuar dhe përballur me problemet që na shqetësojnë, por duhet të jem i qartë; Greqia është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe të drejtën e saj kundrejt çdo kërcënimi”, deklaroi kryeministri grek në një konferencë për shtyp me Presidentin qipriot, Nicos Anastasiades. Tsipras tha se Turqisë duhet t’i bëhet e qartë edhe nga Bashkimi Europian se provokimet e vazhdueshme nuk sjellin përfitim, as për atë vetë. Pas vizitës së Erdogan në Greqi në dhjetor të vitit të kaluar u duk se raportet mes dy vendeve do të hynin në një erë të re, por pak javë më vonë disa incidente me anije në Egje dhe më pas kapja e dy ushtarëve grekë në tokën turke riktheu gjuhën e ashpër mes Athinës dhe Ankarasë. Dy ushtarët grekë mbahen ende të burgosur në Turqi. Greqia thotë se kalimi i kufirit prej tyre ishte aksidental, ndërsa Ankaraja thotë se po hetohet për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo i qëllimshëm. “Çështja e dy ushtarëve grekë të cilët janë arrestuar në Turqi pas kalimit pa dashje në vendin fqinj do të ngrihen në një takim të zyrtarëve të lartë të BE me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Varna më 26 mars”- tha kryeministri Alexis Tsipras të premten , pas ditës së dytë të takimit të krerëve të BE në Bruksel. "Kërkova garanci nga partnerët tanë për dy ushtarë grekë dhe se çështja do të diskutohet në Varna. Ne kemi bërë çdo përpjekje për ta zgjidhur çështjen në mënyrë bilaterale me mbështetjen e partnerëve tanë, por kjo nuk ishte e mundur", u tha ai gazetarëve.

Article Logic
Execution time: 0.0041170120239258