Një protestë civile me marshet e periudhës së socializmit dhe thirrjet “parti-Enver” po zhvillohet përpara gjimnazit “Partizani” në kryeqytet.
Një grup qytetarësh me klarinetë e fizarmonikë improvizojnë me ironi kohën e votimeve në komunizëm kur për të votuar ishte vetëm një kandidat. Më pas vijuan drejt Shkollës së Kuqe.
Me pankarta në duar që kanë mesazhe si: “Modeli Rama, model i mafias, model i krimit”, qytetarët janë grumbulluar para kësaj shkolle.
Në këtë formë ata ironizojnë zgjedhjet bashkiake, duke i krahasuar ato me zgjedhjet e mbajtura në kohën e regjimit.
"U rikthye Enveri" thotë një qytetar.
Ndërkohë disa mbështetës të tjerë të opozitës me parulla në duar dhe vuvuzela kanë marshuar dhe përgjatë Rrugës së Elbasanit duke qëndruar për disa minuta përballë Qendrës së Votimit te Liceu Artistik.
Pjesëmarrësit në këtë protestë lëshuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kërkuan largimin tij. Manifestimi përpara qendrës së votimit ka qenë paqësor dhe nuk u shënua asnjë incident.