INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Vdekja e nënës dhe foshnjës në maternitetin Koço Gliozheni. Kush ka faj? [VIDEO]

Publikuar më: 11:09 19-09-2016

Pas vdekjes së nënës 35 vjeçare Aida Çajka dhe më herët të foshnjës së saj ka patur me dhjetra reagime nga familjarët e të ndjerave, mjekët dhe drejtues të institucioneve publike.

Po kush është fajtori?
Disa fajësojnë mënyrën se si funksionon sistemi shëndetësor e disa të tjerë mjekët, që ishin në turn.
Gjithësesi për momentin ajo që dihet me saktësi është se një komplikacion, që pati nëna gjatë shtatëzanisë ishte shkaku që e çoi në fatalitet atë dhe beben. Ekspertiza mjeko ligjore ka nxjerrë të dhënat paraprake dhe rezultoi se shtatëzanës së ndjerë i ishte çarë shpretka dhe për pasojë ajo pati një hemoragji të madhe sa që mjekët e patën të pamundur t'ja pushonin.

Po padalë ende raporti i plotë i mjekësisë ligjore Prokuroria nxitoi të arrestonte tre mjekë, dy prej të cilëve ndodhen në paraburgim Helidon Klosi e Dritan Deçka, ndërsa një mjeke tjetër Nazmie Ceni është në arrest shtëpie. Me sa duket Prokuroria është nisur vetëm nga fjalët e familjarëve për të marrë ketë vendim, të cilët akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe sorollatje të shtatëzanës për së paku 5 orë nga një spital tek tjetri.
Ministria e Shëndetësisë ishte institucioni i parë që reagoi pas humbjes së jetës së nënës e foshnjës dhe pasi ngushëlloi familjen e tyre bëri dhe një sqarim ku tha se sistemi shëndetësor funksionon më së miri dhe ngjarja nuk ka ndodhur as për mosprezencë të personelit mjekësor të shërbimit të urgjencës apo të qendrave universitare mjekësore në Tiranë, as për mungesë të infrastrukturës diagnostikuese, as për mungesë barnash apo materialesh mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientes në fjalë dhe as për mungesë të ofrimit të shërbimit të autoambulancës.

Ndërsa për Urdhërin e Mjekut ky akt i Prokurorisë vlerësohet si i nxituar. Në një komunikatë ata kanë thënë se vetë ky institucion nuk mund të reagojnë nëse nuk ka provat e sakta dhe shkencore në dorë nga mjekët ligjor. Ata janë shprehur dhe për arrestimin e mjekëve duke thënë se janë kategorikisht kundër qëndrimeve dhe masave të parakohshme, emocionale dhe ekstreme që çojnë në arrestimin e mjekëve pa u provuar dhe argumentuar fajësia e tyre, pa u sqaruar nëse ka lidhje me mjekim të pakujdesshëm (neglizhencë), gabim mjekësor apo mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste.

Në këtë ngjarje të rëndë është përfshirë dhe gjinekologia Anika Dokle e njohur për kritika të hapura në lidhje me sistemin shëndetësor duke quajtur atë aktual të kalbur dhe duke përjashtuar kështu fajin e mjekëve.  Ajo njëherësh është mjeke në maternitetin Koço Gliozheni dhe në një staus në FB ka thënë shprehimisht: “Të hetohet thellë! Në kushtet kur në maternitet mungojnë resurset imazherike të sofistikuara, mungon infrastruktura për kirurgji abdominale, në kushtet kur koordinimi i urgjencave nuk është në dorën e mjekut, por të një strukture tjetër larg maternitetit, në kushtet kur reanimacioni i maternitetit nuk funksionon si një njësi e vërtetë e terapisë intensive, çfarë duhet të bëjë një mjek obsteter para një diagnoze të vështirë në kushtet e shtatëzanisë? Nuk ka asnjë mundësi veçse ta përcjellë pacienten drejt spitaleve që përmbushin këto kushte. Në këtë histori ka përgjegjësi klinike dhe administrative. Të hetohet thellë që të mos ketë Aida dhe Helidonë të tjerë në këtë vend, viktima të një sistemi tërësisht të kalbur!!!”


Edhe gazetaria Rudina Xhunga ka treguar një histori personale në lidhje me njohjen e rastësishme që ka patur me mjekët e arrestuar. Ajo thotë se nuk e beson dot që të dy mjekët të mund të kenë neglizhuar dhe lë të kuptohet se dhe ajo nuk beson tek sistemi në tërësi.
“Sot që doktor Helidoni, është në paraburgim, mendova  për ditën kur e takova me vajzën e vogël dhe më tha se shkolla varet nga mësuesi. Sepse në fakt varet nga njeriu. Dhe unë i njoh këta dy njerëz. Këta dy mjekë. Dhe jo si dy kriminelë, dy vrasës , dy të pandërgjegjshëm që lënë pacientet të vdesin nga pakujdesia. Nuk po zgjedh që mes viktimës dhe mjekut të bëhem me mjekun. Jo, unë jam me gruan që iku bashkë me të bijën.”

Po gjithësesi Xhunga thekson se në kushtet e Shqipërisë mjekët janë superheronjtë e një bote të varfër e meskine, si kjo që kemi ndërtuar, që nxjerr nga goja, të parën më të zezën, që më shumë teshtin se thotë faleminderit, që sheh ëndrra me burg për komshiun.

 

Pas arrestimit të mjekëve të martenitetit kanë reagua dhe kolegët e tyre. Thuajse të gjithë ata që kanë punuar me Helidonin dhe Dritanin kanë dalë sot para maternitetit Koço Gliozheninë në një protestë të cilën e kanë quajtur të heshtur. E vetëm një prej tyre zgjodhi ti thotë ca fjalë.


“Dritan Deçka dhe Elidon Klosi i kanë shërbyer maternitetit dhe duhet të gjykohen në liri dhe jo nën presion, pasi janë të pafajshëm. Nuk mendojmë se rasti te Koço Gliozheni ka qenë gabim mjekësor. Përballojmë 30 lindje në nate e mbi 7 mijë lindje në vit. Të përfundonin hetimet, më pas të bëheshin ndalimet” – tha një prej kolegët të tyre.
Me mjekët e kryeqytetit janë solidariazuar edhe gjinekologët në spitalet e rretheve Fier, Vlorë, Shkodër dhe ata të pavioneve të spitalit rajonal të Vlorës duke ndërprerë për 30 minuta punën.

Article Logic
Execution time: 0.0023288726806641