INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj bën bilancin e punëve në Farkë dhe Petrelë

Veliaj bën bilancin e punëve në Farkë dhe Petrelë

Publikuar më: 12:30 16-06-2017

Përfundimi i disa prej projekteve madhore në zonën urbane të kryeqytetit i jep mundësi Bashkisë së Tiranës që të rrisë vëmendjen e saj në zonat rurale të ish-komunave, ku edhe investimet do të jenë më të mëdha. Nga Liqeni i Farkës ku vijoi turin e takimeve “Tirana - 2 vjet zgjuar”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa bëri bilancin e investimeve dhe punëve të tjera të kryera në Njësinë Administrative të Farkës dhe Petrelës, theksoi se në 24 muajt e ardhshëm fokusi i investimeve do të shkojë deri në nivel fshati.

“Plani është që të vazhdojmë me këtë ritëm, madje e mira e kësaj është që tani që ka mbaruar Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Parku Olimpik, Unaza e Vogël, tani që mbaron pjesa më e madhe e Bulevardit të Ri, na lirohen duart të punojmë akoma më shumë në periferi, deri në nivel fshati. Si çdo familje, pasi ka mbaruar dhomën e pritjes, sigurisht e ka shumë kollaj pastaj të punojë në dhomat e tjera, edhe të sigurohet që e gjitha shtëpia ka dinjitet nga cepi në cep”, tha kryetari Veliaj.

Veliaj theksoi se ashtu siç po veprohet me urbanizimin e disa lagjeve në zonën e Bregut të Lumit apo në Selitë, ashtu do të vazhdojnë investimet edhe në zonat rurale, për të bërë të mundur që mes qendrës dhe periferisë të mos ketë më dallime. “Plani është që siç kemi filluar në çdo lagje të Tiranës, të sigurohemi që edhe në Farkë nuk kemi dy shpejtësi; do të vazhdojmë me investimet edhe në lagjen e “Shelerëve”, edhe në lagjen e Çollakëve”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te transporti publik në ish komunat, duke theksuar se përveç përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, jo vetëm nëpërmjet ndryshimit të automjeteve, por edhe respektimit të orareve, është bërë edhe ulja e ndjeshme e çmimit të biletës për të gjitha linjat. “Kemi pasur një takim dhe një negociatë që nuk ka qenë e lehtë sepse siç e dini licencat autobusëve janë dhënë nga ish-komunat. Kam pasur një negociatë të suksesshme dhe meqë jemi në një nga zonat rurale dua të bëj një njoftim të uljes së tarifave më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë për të gjitha linjat e autobusit në fshat në Tiranën e madhe”, tha Veliaj, duke renditur të gjitha linjat e reja, stacionet që ato përshkojnë, si dhe çmimet e redaktuara të biletave për secilën prej tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke vlerësuar marrëveshjen e arritur me operatorët e autobusëve që funksionojnë në zonën rurale, ka theksuar se ajo është një tjetër dëshmi se ku ka vullnet ka një rrugëzgjidhje për çdo problematikë, siç ishte edhe ajo e transportit e mbartur që nga administrata e shkuar. “Besoj se i kemi dhënë një lajm të mirë të gjithë atyre që e bëjnë rrugën përditë ose disa herë në javë, që aksesojnë shërbimet në Tiranë, për t'u siguruar që barra mbi njerëzit për të ardhur në Tiranë dhe për të aksesuar shërbimet është me ulët dhe aksesi më i kollajt”, deklaroi Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj premtoi se brenda dy viteve të ardhshme do të marrë fund edhe problemi i saktësimit të hartave të tokës. “Unë e di që një nga problematikat kryesore ka qenë saktësimi i hartave të tokës dhe regjistrimi i akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP). Fatmirësisht Prefekti, si ish-administrator njësie, e kupton fare mirë nevojën që kanë bashkia dhe prefektura për të bashkëpunuar për saktësimin e tokës dhe të kalojmë nga çudia me hartën e pronave, në një situatë ku secili merr aktin e marrjes së tokës në pronësi”, tha ai.

Kreu i Bashkisë deklaroi se Bashkia do të vijojë edhe projektin mbjelljen e pemëve të reja në kuadër edhe të projektit për Pyllin Orbital. Duke u ndalur tek investimet, Veliaj deklaroi se Bashkia do të vijojë bashkëpunimin edhe me donatorët për të përmirësuar infrastrukturën. “Ne kemi pasur disa rikonstruksione me donacion, siç është “Shkolla e Mesme e Bashkuar”. Jo vetëm që rregulluam shkollën, por me kërkesë të prefektit që në atë kohë ishte administrator, i vumë emrin e partizanit dëshmor ‘Alush Bardhi’”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se investimet do të prekin edhe rrugët, kanalizimet, ndërtimin e urave si dhe të qendrave komunitare.

Veliaj i bëri thirrje banorëve të Farkës dhe Petrelës që të mbështesin me votën e tyre vijimin e qeverisjes pasi vetëm në këtë mënyrë është i sigurt edhe vijimi i investimeve dhe ndryshimit që po prek çdo fshat në Tiranë. “Kemi ende punë në dy vitet e tjera dhe kjo është arsyeja pse themi dy vite zgjuar se zgjuar mund të bësh punë, në gjumë nuk bën dot punë. Dhe kur pala tjetër sjell si kandidatë atë që e kishte Tiranën 4 vjet dhe nuk e bëri dot punën e Lali Erit punën e Edi Ramës nuk do e bëj dot. Nëse të ngel sahati 4 vjet, ora fiks 12, pra ora e gjumit dhe nuk ke takat të kesh autoritet 3 metra nga zyra jote çfarë autoriteti mund të kesh në 28 mijë km2 që ka Republika e Shqipërisë dhe që ka nevojë të jesh zgjuar dhe të jesh si Edi Rama energjik dhe me ide për t'i shkuar punëve deri në fund”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0041110515594482