INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Çdo ditë një punë konkrete për qytetarët, Tirana humbet shumë nëse kthehet   mbrapa”

Veliaj: “Çdo ditë një punë konkrete për qytetarët, Tirana humbet shumë nëse kthehet mbrapa”

Publikuar më: 12:25 29-05-2017

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nisi sot turin e takimeve në 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit për të bërë bilancin e ndryshimit që solli vota e qershorit dy vite më parë. Turi “Tirana – 2 vjet zgjuar” nisi me një takim me banorët e Njësisë Administrative Nr. 1, ku kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës e mbajti premtimin se do ta rikthente në punë, duke bërë çdo ditë një projekt konkret për qytetarët, ndërsa premtoi se do të vijojë me investimet pa bërë diferencime mes qendrës dhe periferisë.

“Nuk do të presim katër vjet që të bëjmë bilancin e punës tonë, nuk do të presim katër vjet që t’u raportojmë qytetarëve si e trajtuam besimin dhe votën që na dhanë ata, nuk do të presim katër vjet që të kujtohemi për njerëzit sa herë ka fushatë; jo vetëm që do të vijmë çdo vit për të raportuar para qytetarëve, por çdo muaj jemi prezentë me një investim, me një punë konkrete në çdo njësi. Një vit më parë raportimin vjetor e quajtëm “Tirana - 1 vit në punë” sepse ishte një kontrast me Tiranën katër vjet në gjumë. Këtë vit themi “Tirana - 2 vjet zgjuar”, sepse bën një diferencë shumë të madhe kur je zgjuar, kur i përvesh mëngët dhe i futesh punës, se sa kur je në gjumë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ndjejnë ndryshimin që ka sjellë vota që dhanë para dy vitesh, për të vendosur se cili është drejtimi që duhet t’i japin vendit me votën e tyre. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka ditur t’i shërbejë njësoj qytetarëve, pavarësisht bindjeve apo votës që dhanë, duke investuar në të gjitha lagjet apo njësitë pa bërë diferenca. “Asnjë në Tiranë nuk është aq budalla që pasi të ketë parë çfarë ndryshimesh ka pësuar qyteti ta ndërrojë zgjimin me gjumin, punën me gërrhimën. Ndaj, miqtë e mi, është shumë e rëndësishme që teksa si bashki i afrohemi 21 qershorit, që është 2-vjetori i zgjedhjes në krye të bashkisë, të bëjmë një bilanc edhe të këtij viti, që njerëzit të vendosin vetë. Nuk ka rëndësi a janë socialistë apo demokratë, por të vendosin vetë. Në qoftë se demokratët duan të kthehen prapë te gjumi, le të kthehen, por unë besoj se i kemi respektuar dhe u kemi shërbyer njësoj”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se ka qenë qëllimi i administratës së re të Bashkisë së Tiranës që të bëjë çdo ditë nga një punë. Ai premtoi se ritmi që ka shoqëruar punën e bashkisë çdo ditë të këtyre dy viteve të para, do të jetë edhe në dy vitet e ardhshme, derisa qytetarët të shprehin vlerësimin e tyre me votë. “Në këto dy vjet të Tiranës zgjuar kemi bërë çdo ditë nga një punë konkrete. Kjo do të thotë se me këtë ritëm është vetëm çështje kohe sa të vijmë te rruga apo rrugica e secilit. Premtimi im është që edhe në dy vitet e ardhshme, edhe gjatë fushatës, edhe pas saj, edhe në pushimet e verës, edhe kur të fillojë shkolla, edhe kur të vijë dita që të japim llogari para zgjedhësve, të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, tha kryebashkiaku.

Veliaj bëri dhe një bilanc të punëve konkrete që kanë prekur Njësinë 1 në dy vite, duke nisur nga investimet për më të vegjlit. “Kush i ka fëmijët te kopshti nr. 24 te rruga “Kongresi i Lushnjes”, te kopshti nr. 56 te rruga “Millosh Shutku”, te çerdhja nr. 14 te rruga “Myslym Lela”, te çerdhja nr. 50 te rruga “Dhimitër Kamarda”, te çerdhja nr. 51 te rruga “Asdreni”, te çerdhja nr. 60 tek në Shkozë, te çerdhja nr.62 te banesat sociale dhe te kopshti “Ylberi” në Shkozë, është dëshmitar që sot ato janë si dita me natën”, tha Veliaj.

Infrastruktura shkollore ka qenë një nga prioritetet e bashkisë në këto dy vite, ku përfituese ka qenë edhe Njësia 1. “Në shkollën 1 Maji prej vitesh nuk ishte vënë dorë. Sot është një nga shkollat model. Madje, shumicën e inxhinierëve i çojmë të shohin shkollën 1 Maji që të bëhen edhe shkollat e tjera të Tiranës si ajo. Më vjen mirë që kjo shkollë është kthyer në një shkollë etalon në Tiranë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe te ndryshimi që po pëson infrastruktura urbane në këtë njësi, ku një sërë rrugësh dhe blloqesh banimi janë rikonstruktuar dhe rikualifikuar. “Para pak javësh isha te blloku ‘Dhimitër Kamarda’, një bllok i cili sot është transformuar totalisht. Mjafton të shikoni blloqet që ka transformuar bashkia, çdo vit bëjmë 50 të tilla”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se situata ka ndryshuar në mënyrë të prekshme edhe sa i përket ndriçimit duke shkuar në një qytet 73% të ndriçuar nga 30% që ishte para 2 vitesh. “Do të fillojmë një projekt ndriçimi në rrugën “Idriz Dollaku” dhe në rrugën “Haxhi Sabri Koçi”. Kjo e ndriçimit është një nga gjerat që jam më krenar për ndërmarrjen tonë. E kemi gjetur Tiranën vetëm 30% të ndriçuar. Imagjinoni një shtëpi me tre dhoma ku punon ndriçimi vetëm në një dhomë. Sot jemi në Tiranën 73% të ndriçuar. Sigurisht, s’është perfekte, kemi ende shumë për të bërë. Kemi edhe shumë për të shkuar mbrapa nëse votojmë në drejtimin e gabuar, se poçat digjen prapë, nëse nuk ka njeri që t’i ndërrojë; për 4 vjet digjen prapë edhe shkojmë në terr”, shtoi Veliaj.

Veliaj theksoi se punët e nisur në këtë njësi do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti për të bërë të mundur që investimet të jenë të prekshme për çdo qytetar. “Gjatë këtij viti do të fillojmë rikonstruksionin në rrugët e bllokut që kufizohet nga “Arben Lami”, “Ali Shefqeti”, “Aleksandër Konda” dhe rruga që lidh “Aleksandër Kondën” me rrugën “Fehmi Ibrahimi”. Do të punojmë me kanalin e hapur te ish-liqeni i Shkozës, ka qenë një problematikë e madhe bllokimi i kanalit”, tha Veliaj.

Veliaj e konsideroi të rëndësishme për vijimin e ndryshimit që po pëson Tirana që qytetarët e saj të dinë të bëjnë zgjehdjen e duhur në 25 qershor, duke bërë të ditur se vetëm me mbështetjen e qeverisë Bashkia do e ketë më të lehtë të vijojë punën me të njëjtin ritëm.

“Tani kthehen prapë në Tiranë me shpresë se ne kemi harruar gjumin, kemi harruar gërhimën, kemi harruar përtacinë dhe mendojnë që ka ende budallenj në Tiranë që do të votojnë një ekip humbësish kur ne jemi duke punuar përditë? Në asnjë mënyrë! Asnjë kthim mbrapa në Tiranë. Jo vetëm kaq, por humbësi i bashkisë thotë: T’u sjell dhe kandidatin tjetër që humbi. Kandidati tjetër ishte burrë shumë i mirë, por në Tiranë humbi me 50 mijë vota. Na thotë votojeni prapë këtë që keni refuzuar njëherë”, përfundoi Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0042500495910645