INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Diaspora, e para që iu përgjigj thirrjes për mbjelljen e pemëve”

Veliaj: “Diaspora, e para që iu përgjigj thirrjes për mbjelljen e pemëve”

Publikuar më: 12:35 30-03-2018

Kjo pranverë e gjen Njësinë 5 jo vetëm me infrastrukturë të përmirësuar, por njëkohësisht edhe me më shumë gjelbërim në të gjitha rrugët dhe lulishtet e saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, mbollën 100 fidanë të rinj në Njësinë 5, zonë e cila tre vitet e fundit është transformuar plotësisht.

“Kjo është mënyra më e mirë për të nisur pranverën në Njësinë 5. Mbaj mend sfidat e fillimit: s’kishte mbaruar Rruga e “Kosovarëve”, sa kishte filluar Parku Olimpik, infrastruktura qoftë edhe këtu në lagjen “Shushica” apo te stadiumi ‘Dinamo’ linte për të dëshiruar. Sot jemi në një fazë krejt tjetër. Teksa po mbaron rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, që stabilizon trafikun për gjithë njësinë, jemi duke shtuar pemët dhe gjelbërimin në të gjitha lulishtet e njësisë”, u shpreh Veliaj.

Ministri i Shtetit për Diasporën dhe njëkohësisht deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi dhurimin dhe mbjelljen e pemëve për qytetin si një nga nismat më qytetare që ka trokitur në dyert e Tiranës. Ai theksoi se në kryeqytet po krijohet një kulturë e re, që po përqafohet nga qytetarët. “Në fillim të viteve ’90, njerëzit i prisnin pemët rrugëve edhe për revoltë ndaj të ashtuquajturit rregull; ishte diçka shumë dëshpëruese. Por, është interesante që njerëzit po kthehen në një kulturë tjetër, jo të prerjes së pemëve, por të mbjelljes së pemëve. Mendoj se nisma është e jashtëzakonshme, pavarësisht se ka pasur si zakonisht cinikë në fillim”, deklaroi Majko.

Nisma e Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në kryeqytet nuk është vetëm një fushatë lokale, por asaj i janë bashkuar edhe qindra bashkatdhetarë nga diaspora, duke dhënë një kontribut të çmuar në dhurimin e pemëve. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë shqiptarët për solidaritetin e treguar për transformimin e hapësirave publike të kryeqytetit. “Ka qenë fantastike teksa shikojmë porositë që bëhen në internet për pemë nga Kanadaja, Hungaria, Londra, Italia, Greqia, dhe më vjen mirë që nuk ishte vetëm një fushatë lokale, sepse patëm nga të gjitha trevat e Shqipërisë, edhe Presheva, edhe Kosova, që dhuruan pemë. Ishte një fushatë ndërkombëtare, ku shqiptarë kudo që ishin në diasporë dhanë një kontribut”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar tepër pozitive angazhimin e qytetarëve në këtë fushatë, kreu i Bashkisë u shpreh se si gjithnjë, edhe për tema të tilla sociale dhe mjedisore, diaspora është e para që përgjigjet. “Ka qenë një gjetje dhe një premtim i mbajtur një Ministri për Diasporën dhe fakti që edhe për tema të tilla sociale e mjedisore diaspora është e para që përgjigjet, ky është një lajm shumë i mirë. Jam i bekuar që këtë punë nuk e bëj vetëm. Në Tiranë nuk jemi vetëm një konvikt për 1 milionë veta, por jemi realisht një komunitet i cili nuk e ka humbur vullnetin për të bërë punë të përbashkëta për qytetin tonë”, tha ai.

Falë angazhimit të shumë qytetarëve, qindra bizneseve e donatorëve që iu bashkuan këtij aksioni, numri i pemëve të mbjella deri më tani ka shkuar në mbi 108 mijë. Për shkak të numrit të lartë të qytetarëve dhe të kompanive që janë regjistruar në listë pritje për të dhuruar pemë, aksioni për mbjelljen do të vijojë deri më 22 prill. Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme që ndikon direkt në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm.

Article Logic
Execution time: 0.003748893737793