INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Drejtorët të mos bëjnë regjistrime mbi kapacitetin, hapim tre shkolla të reja në  shtator”

Veliaj: “Drejtorët të mos bëjnë regjistrime mbi kapacitetin, hapim tre shkolla të reja në shtator”

Publikuar më: 12:05 29-08-2017

Fëmijët dhe të rinjtë që do të ndjekin arsimin nëntëvjeçar dhe atë të mesëm në shkollat e Tiranës për vitin e ri shkollor që nis në 11 shtator, do të regjistrohen në shkollat më të afërta me banesën e tyre, ndërsa drejtorët nuk do të lejohen që të bëjnë regjistrime mbi kapacitetin. Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës kanë marrë të gjitha masat që të krijojnë kushtet e nevojshme infrastrukturore dhe të bëjnë një shpërndarje të mësuesve më të mirë në mënyrë proporcionale në të gjitha shkollat, duke siguruar kështu një standard mësimdhënie të barabartë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave të Tiranës, ku theksoi se tashmë me ndërhyrjet infrastrukturore dhe me shpërndarjen më të mirë të mësuesve ne shkolla, nuk ka më asnjë arsye që nxënësit të synojnë të regjistrohen vetëm në shkollat që për shkak të traditës janë më të preferuara.

“Nëse çojmë infrastrukturën dhe mësuesit e duhur nuk ka asnjë arsye pse një nxënës nga Shëngjergji të marrë përditë furgonin për të shkuar në shkolle, duke u kthyer në kosto shtesë për familjen, kosto shtesë në trafik, në kohë. Koha kushton, ka vlerë, s’mund ta shpërdorojmë në trafik. Duke ofruar këtë infrastrukturë, bëjmë shumë më shumë familje të mendojnë që nuk ka nevojë të vijnë nxënësit këtu. Çojmë një mësues të mirë atje dhe Bashkia bën terrenet e mira dhe infrastrukturën që secili ta ketë shkollën në komunitetin e vet, mundësisht në një distancë që mund të bëhet në këmbë edhe nga nxënësit”, tha Veliaj.

Ai theksoi se është e nevojshme që të marrë fund praktika e regjistrimit të nxënësve në shkolla për hatër apo për mirësi, duke sjellë mbingarkesë. Kjo sipas tij, sjell ulje të cilësisë në mësimdhënie. “Mund të ketë drejtoresha ose drejtorë të cilët thonë, e kreva regjistrimin për 100 veta, por kësaj nuk do t’ia prish se e ka me merak këtë punë dhe do t’ia regjistroj edhe këtë çunin, 101 vetë. E di çfarë, nuk ke ndihmuar një njeri, por e ke prishur për 100 të tjerë përfshirë edhe njeriun të cilin mendon se e ke ndihmuar, i cili pasi të ulet me tre veta në bankë dhe ta bëjë mësimin pasdite,jo vetëm që nuk e ke ndihmuar, por i ke prishur ndjeshëm cilësinë e arsimit, sigurisht edhe cilësinë e jetës së një familje. Në qoftë se jeni në këto zona ju lutem duhet ta ndalojmë këtë praktikë. Nëse regjistrimet e kuotave tuaja janë mbyllur atëherë shkolla është ngjitur”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se këtë vit të ri arsimor do të hapin dyert edhe tre shkolla të reja, të cilat ofrojnë kushtet dhe standardet më të mira të mësimdhënies, ndërkohë që gjatë muajve të verës është ndërhyrë në të 191 shkollat e tjera që ka Tirana për të siguruar edhe aty kushte më të mira për nxënësit. “Kemi punuar në fakt në 191 shkolla, nga shkolla në Vërri, në Shëngjergj, shkolla më e largët e Tiranës me terrenet e reja sportive, deri te shkollat e Bllokut që janë në zemër të Tiranës. Përveç “Shkollës së Baletit” që është një shkollë ekzistuese, por që është transformuar, kemi tre shkolla totalisht të reja dhe një të katërt e cila sapo ka hedhur themelet. Kemi shkollën “Betim Muço” në Kombinat, shkollën “Hoxha Tahsim” te Pazari i Ri dhe shkollën “Ardian Klosi” te Bregu i Lumit. Janë tre shkolla moderne, të cilat do të përfshijnë 2500 nxënës. Ndërkohë që shkolla “Kosova” sapo ka hedhur themelet”, tha Veliaj.

Por ai theksoi se të gjitha këto investime nuk do të kenë rezultat nëse të gjithë do të synojnë të regjistrohen në shkollat ekzistuese duke sjellë mbingarkesë. “Nëse vazhdojmë themi, se kështu jemi mësuar dhe të gjithë do t’i çojmë te “Fan Noli” dhe te “Sami Frashëri”, atëherë mund të bëjmë edhe 100 shkolla të reja dhe për sa kohë të gjithë do të shkojnë të dynden tek të njëjtat shkolla, nuk ka asnjë vlerë ndërtimi i shkollave të reja. Madje janë para të shpenzuara kot”, shtoi Veliaj.

Ndaj ai i bëri thirrje drejtorëve të shkollave që të respektojnë këtë rregull. “Para ca vitesh nuk flitej fare për këtë portalin, as flitej fare për meritë, për një barazndarje të mësuesve të talentuar që vijnë rishtaz në të gjitha shkollat. Ndaj na duhet realisht të futemi në një fushatë marketingu, ku produkti ynë nuk është çamçakëzi dhe patatinat, produkti ynë është arsimi dhe duhet të marketojmë këtë produkt, arsimin si vlerë, por edhe arsimin cilësor si vlerë shumë pranë shtëpisë tende. Ndaj edhe më vjen mirë që bashkë me DAR-in kanë filluar jo vetëm regjistrimet, por kemi siguruar që mësuesit me rezultate të shkëlqyera që janë pjesë e portalit të shpërndahen në mënyrë të barabartë në këto 3 shkollat e reja”, tha Veliaj.

Ndërtimi i 4 shkollave të reja është vetëm pjesa e parë e projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 20 shkollave që do t'i japin fund dhe mësimit me dy turne. Ndaj ai ka theksuar se do të vazhdojë projekti për ndërtimin e 16 shkollave të tjera të reja në partneritet me privatin. “Lajme të tjera të mira është se do të kemi 16 shkolla të reja që do të projektohen për vitin tjetër. Sigurisht u ndjeva keq që gjysma e Këshillit Bashkiak, një votë më pak se gjysma, nuk i votoi shkollat e reja dhe unë gjithmonë shpresoj që do piqemi një ditë që përtej partive dhe roleve, njëherë në qeveri apo opozitë, këto nuk kanë rëndësi, janë gjëra që ndodhin në politikë, do kemi disa vizione të qarta se çfarë duam të bëjmë me qytetin dhe çfarë paje duam t’i lëmë këtij qyteti kur të mos merremi më me këtë punë”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë që Veliaj bëri të ditur se do të vijojnë investimet për sistemin e ngrohjes në shkolla, për t'u përgatitur për përballimin e të ftohtit në dimër. “Në një pjesë të madhe e kemi bërë, kemi ende disa shkolla ku duhet të investojmë. Po e përdor këtë mundësi publike për t’i bërë thirrje edhe biznesit. Na janë përgjigjur në mënyrë fantastike për çerdhet e kopshtet. Dua t’i ftoj edhe për shkollat, nëse ka nga ata që mund të na ndihmojnë kryesisht me sistemet e ngrohjes, do ju isha shumë mirënjohës", tha ai.

Ai tha se për të lehtësuar lëvizjen e nxënësve Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë dhe disa masa lehtësuese për ta. Një prej tyre është edhe rikthimi i rregullit të një viti më parë për të kufizuar lëvizjen e makinave të furnizimit të dyqaneve në orët e ditës. “Ne do marrim disa masa të tjera të trafikut, nga fillimi i shkollës, në 11 shtator do hyjë në fuqi regjimi ku të gjithë furgonët e makinat që transportojnë mall do të fillojnë pas orës 9, pra pasi fëmijët të kenë shkuar në shkollë. Ne bëmë një kalkulim vitin e parë që në një javë 30 mijë orë mësimi humbeshin vetëm nga trafiku i orës së parë. Kjo është arsyeja pse u kemi thënë edhe tregtarëve që për ne fëmijët janë më të rëndësishme se patatinat e çokollatat, ndaj do respektojmë këtë orar dhe do jemi të ashpër si çdo vit në fillim të shtatorit derisa të mësohen”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu ai ka theksuar se sëbashku me qeverinë e re pritet që të merret një vendim për të ndryshuar orarin e fillimit të punës në institucione të ndryshme në mënyrë që të shpërndahet fluksi lëvizjes në mëngjes. Veliaj dha dhe lajmin e mirë që vjen edhe në ndihmë të lehtësimit të trafikut në Tiranë në këtë fillimviti arsimor dhe që ka të bëjë me hapjen e pjesës së unazës së madhe edhe të segmentit nga Kopshti Botanik deri te Pallati me Shigjeta.

Me nisjen e shkollës kryetari i Bashkisë bëri të ditur se nën kujdesin edhe të administratorëve të njësive do të rekrutohen vullnetarë për të ndihmuar fëmijët të kalojnë kryqëzimet apo rrugët pranë shkollave, ndërsa informoi se Bashkia e Tiranës ka rritur buxhetin e saj për të gjithë ata që dalin shkëlqyeshëm në shkolla si një mënyrë për të stimuluar rezultatet e mira.

Article Logic
Execution time: 0.003648042678833