INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Kopshti Zoologjik dhurata tjetër për fëmijët e Tiranës

Veliaj: “Kopshti Zoologjik dhurata tjetër për fëmijët e Tiranës"

Publikuar më: 11:26 09-06-2017

Pas një harrese prej më shumë se 25 vitesh, fëmijët dhe familjet e kryeqytetit do të kenë një Kopësht Zoologjik njësoj si në qytetet e Evropës. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për t’i dhënë Tiranës kopshtin e munguar zoologjik e botanik, me pasuri speciesh e me standarde evropiane kujdestarie. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga përfaqësues të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, si dhe një ndër arkitektët më të mirë të fushës, Peter Rasbach, prezantoi masterplanin për rehabilitimin e kopshtit aktual zoologjik dhe atij botanik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga më të frekuentuarat për të gjitha grupmoshat.

Duke e krahasuar me situatën e gjetur dy vite më parë, Veliaj tha se është bërë një punë e mirë për të dalë nga situata emergjente ku ndodhej i gjithë parku. “Kur erdhëm ta shikonim Kopshtin Zoologjik, ishte një katastrofë, kurse sot është tjetër gjë nga shtimi i gjelbërimit dhe pafundësia e aktiviteteve që ndodhin çdo fundjavë. Shumë mirë që po bëjmë çerdhet, kopshtet, shkollat, por qyteti nuk është vetëm nga e hëna në të premte. Ndaj më vjen mirë që ky kopsht, qoftë edhe në gjendjen që është sot, ka ndryshuar si dita me natën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se Bashkia po përgatitet që në buxhetin e ardhshëm të nisë financimin me faza të këtij projekti të rëndësishëm, ndërsa garantoi se Kopshti Zoologjik do të vijojë të jetë i hapur edhe gjatë kryerjes së punimeve për të gjithë të apasionuarit. Veliaj shtoi se do të nisë puna edhe për studimin e kafshëve dhe të shpendëve, të cilët do të pasurojnë edhe më tej faunën e Kopshtit të ri Zoologjik. “Do të anëtarësohemi në Organizatën Europiane të Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve. Do të kemi më shumë kafshë, më shumë specie dhe shumë aktivitete. Ky vit duhet të jetë viti i planifikimit, nga niveli i masterplanit, në nivel më të detajuar. Pastaj, do të fillojmë kontaktet me kopshtet e tjera zoologjike sepse transporti i kafshëve të gjalla, sidomos i atyre ekzotike, është një proces që rakordohet muaj dhe vite në kohë”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se rehabilitimi i parkut botanik dhe atij zoologjik është një sfidë, si pasojë e abuzimit ndër vite me lejet e ndërtimit nga ish-komuna e Farkës që ka pasur dhe administrimin e kësaj zone. “Mjafton të shikoni pallatet që i kanë ardhur në buzë parkut dhe do kuptoni se është një sfidë se si midis këtij kontrasti urban të zonave rezidenciale dhe kontrastit të një eko-sistemi të florës dhe të faunës, mund të arrijmë të prodhojmë diçka të bukur. Ne e dimë fare mirë kush e ka menaxhuar zonën e Farkës, e dimë si janë dhënë ato leje, dhe sot na vijnë si kandidatë për deputetë, janë po ata ish kryetarë komunash që bënë këtë histori që nuk e zhbëjmë dot”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë garantoi se me Planin e ri Urbanistik merr fund shkatërrimi i mjediseve të tilla, ndërsa shprehu besimin se falë përkushtimit situata do të përmirësohet. “Faza e parë është zgjerimi i Kopshtit Zoologjik në drejtim të jugut. Do të thotë që me planin e ri urbanistik është ndaluar ndërtimi në zonat përreth Kopshtit Zzoologjik për të shpëtuar sa të mundemi nga zonat ekzistuese, për të fituar territor në këtë ambient”, deklaroi ai.

Plani parashikon lidhjen e Kopshtit Botanik dhe atij Zoologjik, duke krijuar një hapësirë të vizitueshme. Kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se i është kërkuar Këshillit të Ministrave marrja në dorëzim e Kopshtit Botanik për transformimin e tij në një hapësirë të vizitueshme në çdo kohë nga të gjithë qytetarët. Rehabilitimi i zonës së kopshtit botanik dhe atij zoologjik pritet që të shtojë dhe numrin e vizitorëve të vegjël, të cilët do të kenë mundësi të njihen me faunën dhe florën e këtij parku.

“Jemi shumë entuziast për propozimin për të shtuar edhe kafshë ekzotike, të cilat nuk rriten në Shqipëri, si gjirafat, zebra, kanguri. Unë besoj se nga një Kopësht Zoologjik, i cili sot frekuentohet kryesisht në fundjavë, të jetë ndoshta edhe një hapësirë e nxënies, pra e mësimit, ku shumë prej klasave të shkollave të Tiranës, ashtu sikurse kanë nisur ta bëjnë në shumë projekte zoologjike, të kenë mundësi që orën e tyre të biologjisë, ta kryejnë në Kopshtin Zoologjik”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë bëri një apel edhe për ato familje të cilat planifikojnë që të blejnë një kafshë shtëpiake. “Një nga problemet tipike që ne kemi në Tiranë, është trajtimi i kafshëve. Njerëzit duan të marrin një kafshë, të marrin një qen në shtëpi, shkojnë e blejnë me qejfin më të madh për ditëlindjen e djalit ose të vajzës, por zbulojnë pastaj që nuk e mbajnë dot dhe e lëshojnë në rrugë. Sigurisht, ne do të bëjmë maksimumin, por kjo ka një kosto. Bashkisë së Tiranës i kushton 50 euro procesi i hospitalizimit, sterilizimit, vaksinimit të një qeni rruge. Kështu që do t’ju lutesha atyre që përpara se të bënin blerje të tilla, t’i bëni llogaritë mirë, a mund ta mbajnë një kafshë në shtëpi”, theksoi Veliaj.

Rijetëzimi i Kopshtit Botanik dhe Zoologjik në kryeqytet ka qenë një ndër projektet e premtuara të kryebashkiakut Erion Veliaj, në vitin 2015, kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës.

Article Logic
Execution time: 0.0019369125366211