INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Urbanizimi rrit vlerën e pronës së qytetarëve

Veliaj: “Urbanizimi rrit vlerën e pronës së qytetarëve"

Publikuar më: 16:26 19-06-2017

Blloku “Misto Mame” në Kombinat, në të cilin nuk ishte vënë dorë prej vitesh, do të shndërrohet shumë shpejt në një nga lagjet më të mira të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Saimir Tahiri, inspektoi fillimin e punimeve në sipërfaqen prej 35 hektarësh.

Veliaj theksoi se pavarësisht fushatës zgjedhore apo stinës së verës, Bashkia e Tiranës vijon me të njëjtin ritëm punën e saj për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Ka qenë një kërkesë prej dy vitesh e Sajmirit që të përfundonim një projekt, i cili transformon 35 hektarë të një lagjeje që është ndërtuar me djersë gjatë gjithë viteve ‘90-2000. Do të punojmë gjatë gjithë verës, ka apo s’ka fushatë, ka apo s’ka pushime, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurohemi që, ashtu si lagja “Shushica” te Njësia 5 apo lagja “Besa” te Bregu i Lumit dhe shumë hapësira që ku ka vënë dorë bashkia, të kemi mundësi që të sjellim urbanizim edhe zonën e Kombinatit”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Sipas tij, procesi i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për urbanizimin e këtyre zonave, ka rritur disa herë vlerën e pronës së qytetarëve. “Duke filluar nga Pazari i Ri e deri te Bregu i Lumit dhe Bulevardi i Ri, urbanizimi ua ka rritur vlerën pronës deri në 2-3 herë. Ajo që presim është që kur ky investim të ketë mbaruar, edhe këtu vlera e pronës të rritet 2-3 herë dhe secili qytetar t’i shohë dukun investimit të djersës dhe gjithë punës së tij ndër vite”, u shpreh ai, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për punimet që po kryhen me ritëm të shpejtë.

Kreu i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët që të mbështesin masivisht Edi Ramën për një mandat të dytë qeverisës, si një mundësi për të siguruar vijimin e investimeve në kryeqytet. Veliaj deklaroi se 25 qershori është edhe një “referendum” për punët që janë kryer nga ana e Bashkisë gjatë kësaj periudhe. “Dua t’i ftoj qytetarët të kuptojnë një gjë: në datën 25 qershor, tani që kemi mbushur dy vjet nga Bashkia e Tiranës, votohet edhe për Bashkinë e Tiranës. Presim që njerëzit të na japin një notë. Nëse duam që puna në Tiranë të vazhdojë, siç u bë sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Parku Olimpik, Bulevardi i Ri dhe siç po ndryshojnë 50 lagje të tilla në të gjithë Tiranën, duam që njerëzit të na japim një vlerësim. Nëse vlerësimi është pozitiv atëherë u kërkojmë të votojnë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, si garanci që puna të vlojë në Tiranë dhe siç kemi punuar këto dy vite të vazhdojmë edhe dy vitet e tjera”, tha ai.

Kryebashkiaku siguroi qytetarët se investimet që e presin Tiranën në dy vitet në vazhdim do të jenë shumë herë më të mëdha. “Po të kemi Sajmirin këtu në Kombinat, Edi Ramën në qeveri, kolegët e tjerë në të gjitha njësitë që përveshin mëngët dhe i shtrohen punës, ajo që kemi bërë në Tiranë nuk është asgjë me çfarë do të bëjmë në dy vitet e tjera. Ndaj mesazhi është i qartë: kush do që Tirana të vazhdojë me punën, të vazhdojë me progresin dhe të vazhdojë me investimet ja ku e ka Sajmirin, Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, theksoi ai.

Article Logic
Execution time: 0.0037300586700439