INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Vëzhgim i IN News, ''gjurmët'' e përmbytjeve në Durrës [VIDEO]

Publikuar më: 16:22 20-03-2018

Reshjet e dendura të një dite më parë në qarkun e Durrësit janë shoqëruar me përmbytje dhe me dëme të shumta. Kamera e IN News ka vizituar sot zonat më të prekura dhe më problematikja vijon të jetë ajo tek Currilat, ku si pasojë e shirave kanë rrëshqitur gurë dhe dhera duke dëmtuar dhe bllokuar jo vetëm rrugën, por dhe disa banesa.

Banorët:
“Është herë e parë që ndodh dëme në këto përmasa. Dherat më kanë hyrë në shtëpi dhe rrezikohet të shembet. Shkak janë dhe rrjeta që i janë vënë kodrës që s’janë cilësore”.
Po dhe shumë qytetarë të Durrësit janë ankuar se një ditë më parë janë bllokuar totalisht, pasi nuk kanë lëvizur nga shtëpitë në një kohë që kanë frikë se kjo situatë do të përsëritet pasi sipas tyre shumë kanalizime janë të bllokuara.
Edhe mësimi një ditë më parë u pezullua në disa shkolla dhe sot duken qartë gjurmët e shiut që përmbyti dhe oborret e katet e para të tyre.
IN News u interesua pranë Bashkisë së Durrësit për të marrë një informacion në lidhje me shkaqet e përmbytjes së shumicës të rrugëve të qytetit bregdetar, pasi dhe vetë qytetarët pretendojnë se këtë herë situata është më problematike po ata na drejtuan tek Ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve. Po zyra e shtypit e kësaj ndërmarrjeje na thanë se për këtë çështje duhet ti drejtoheshim Bordit të kullimit, e këta të fundit na kthyen sërish tek Bashkia pra me pak fjalë askush nuk morri përsipër të sqaronte banorët se sa lidhje kishin kanalizimet apo kullimi i ujit me përmbytjet.
Gjithësesi sot në mesditë në qendër të Durrësit uji është tërhequr dhe ka lënë vetëm shenjat e lagështisë nëpër mure, kurse qytetarët ia janë gëzuar rrezeve të diellit dhe kanë shëtitur.

Article Logic
Execution time: 0.0037031173706055