INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Viti i ri shkollor. Nga 17 shtatori, kufizim qarkullimi për furgonët dhe kamionët

Viti i ri shkollor. Nga 17 shtatori, kufizim qarkullimi për furgonët dhe kamionët

Publikuar më: 13:26 11-09-2018

Nga data 17 shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor, rikthehet edhe kufizimi i qarkullimit për mjetet që kryejnë furnizimin e dyqaneve në mëngjes. Kjo masë e Bashkisë së Tiranës ka për qëllim të ulë fluksin e trafikut në orët kur nxënësit e Tiranës shkojnë në shkollë, si dhe synon që fëmijët të mos humbin orën e parë të mësimit. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj gjatë një takimi  që zhvilloi me drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Tiranës. Veliaj diskutoi me drejtuesit e shkollave  lidhur me përgatitjet e vitit të ri shkollor. Ai theksoi se kufizimi i mjeteve të furnizimit në fashën orare 7.00-9.00 bëhet për t’i ardhur në ndihmë prindërve dhe nxënësve, që ata të mbërrijnë në kohë në shkollë. “Do të rifusim në veprim regjimin e ri të trafikut, me orare për të shmangur qarkullimin e kamionëve dhe furgonëve në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë; po ashtu, edhe institucionet të mos shkojnë të gjitha në orën 08:00 në punë. E kam thënë, nuk mund të vlejnë patatinat dhe çamçakizat, më shumë se fëmijët. Të shkojnë njëherë fëmijët në shkolla, pastaj furgonët mund të bëjnë dërgesat e tyre, para orës 07.00 ose pas orës 09.00, që të mos kemi kaos në trafik”, tha Veliaj. Kryebashkiaku informoi drejtorët se situata e mbipopullimit të shkollave dhe mësimit me dy turne do të marrë zgjidhje përfundimtare me ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të nisin që këtë vit. “Unë besoj se vitin tjetër, jo vetëm mbarojnë këto që janë në proces, por brenda muajit shtator do të fillojmë themelet e para të 17 shkollave të reja. Kam përshtypjen se keni dijeni ku do të jenë shkollat e reja, pasi u kemi dhënë një fokus të madh shkollave peri-urbane sepse ato dyndin zonën e Tiranës së vjetër. Me 17 shkollat e reja që presim të hedhim themelet, shtatori tjetër të na gjejë me një pjesë të kompletuar, minimalisht nuk do flasim më për klasat me dy turne”, tha ai.

Article Logic
Execution time: 0.0021247863769531