Një 52-vjeçar është vrarë buzë lumit Erzen në një fshat të Durrësit.
Asti Mici për motive të dobëta ka goditur me një mjet pune në këmbë 52-vjeçarin L. Lala, i cili ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.
Shërbimet e policisë arrestuan autorin e dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që nga hetimet e para rezultoi se sherri ka nisur për zhvendosjen e një traktori që ndodhej në tokë publike, buzë lumit.
Viktima nuk ka pranuar që ta lëvizë mjetin bujqësor dhe kjo ka bërë që mes dy bashkëfshatarëve të nisë përplasja fizike. Mici e ka goditur 52-vjeçarin me kosën me të cilën kosiste barin, duke i shkaktuar prerje të arteries femurale të këmbës.
Si pasojë e hemorragjisë, Lala ka gjetur vdekjen. Nga hetimet rezulton se mes autorit dhe viktimës ka pasur përplasje të vazhdueshme dhe për motive pronësie.