INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vuçiç në Kosovë, bisedime në shtator me serbët e Ibrit

Vuçiç në Kosovë, bisedime në shtator me serbët e Ibrit

Publikuar më: 09:44 17-08-2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se në shtator do të shkojë për vizitë në Kosovë. Ai do të bisedojë me serbët e Kosovës për të ardhmen, ndërsa paralajmëroi projekte të reja infrastrukturore në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit.
“Asnjë vendim nuk do ta marrim pa ju dhe unë vij në Kosovë në shtator, pasi dua të bisedoj me të gjithë ju dhe t’ju them se cilat do të jenë të rejat në bisedimet rreth të ardhmes së Kosovës, që të planifikojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku dhe të jetojmë bashkërisht”, tha Vuçiç, i cili përmes telefonit iu drejtua të pranishmëve në takimin e Listës Serbe me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, në Mitrovicën e Veriut.
Vuçiç paralajmëroi se Serbia këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të fillojë me realizimin e projekteve infrastrukturore në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit që kanë të bëjnë me ujësjellësin, kanalizimin, si dhe se do të investohet më shumë para se kurrë. Po ashtu, premtoi se do të ndërtojë çerdhe për fëmijë në Shtërpcë e deri te ujësjellësi në Zubin Potoku.
“Sa i përket zgjidhjes, ne jemi larg nga çdo zgjidhje, por ne do të vazhdojmë të luftojmë, andaj ju kërkoj ndihmë, sepse e dini më mirë se kush po lufton për Kosovën dhe ju e dini se kush është me ju”, tha Vuçiç.

Article Logic
Execution time: 0.0034351348876953