INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Xhafaj paralajmëron. Shumë shpejt presim...

Xhafaj paralajmëron. Shumë shpejt presim...

Publikuar më: 09:54 04-12-2017

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë fjalës ne konferencën ndërkombëtare kundër krimit te organizuar, ka lajmëruar se është mbyllur faza e parë e operacionit “Forca e Ligjit”, ku janë identifikuar grupet kriminale dhe pasuritë e tyre nga aktiviteti kriminal.
Fatmir Xhafaj:
“Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme e konsiderojnë Luftën Kundër Krimit të Organizuar si prioritet thelbësor.
Qeveria shqiptare muajin e kaluar ka miratuar një Plan Veprimi për Luftën Kundër Krimit të Orgnizuar – Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili ka si objektiv pikërisht këtë, goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre të paligjshme. Kjo nismë, ka një qasje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.
Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre.
Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para janë pozitive.
Operacioni “Forca e ligjit” nuk është i shkëputur nga nismat e tjera te Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Reformimi i sistemit të Policimit në Komunitet do të na ndihmojë të kthejmë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.
Të gjitha janë pjesë e një programi unik prioritetesh me një moto të vetme: Tolerancë zero në luftën kundër krimit, nga institucione të forta me njerëz të aftë dhe me integritet, në shërbim të qytetarëve.
Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e Reformës në Drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme: Vetingun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij procesi, si dhe në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.

Gjithsesi, çfarëdo nisme dhe sado iniciativë të ketë nga ana jonë, rezultatet do të jenë larg në mungesë të një bashkëpunimi të frytshëm midis nesh.
Ne kemi propozuar gjithashtu edhe nisma të tjera bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën ndaj këtij fenomeni.
Suksesi në këtë ndërmarrje të vështirë, si lufta ndaj krimit të organizuar, varet nga ne, varet nga sa do jemi në gjendje të shkëmbejmë informacion mbi çështje të veçanta, sa do jemi në gjendje të kryejmë hetime dhe operacione të përbashkëta, sa përkushtim dhe seriozitet do t'i kushtojmë kësaj lufte.
Ne kemi një synim të përbashkët: Integrimin në Bashkimin Europian.
Le të ndihmojmë veten duke ndihmuar njëri – tjetrin”.

Article Logic
Execution time: 0.0038070678710938