INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Xhaferi: Gjuha shqipe do miratohet së bashku me Marrëveshjen për emrin

Xhaferi: Gjuha shqipe do miratohet së bashku me Marrëveshjen për emrin

Publikuar më: 17:36 25-12-2018

Ligji për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të fuqizohet së bashku me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Kjo marrëveshje, sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe zyrtarëve të Qeverisë pritet të miratohet në seancën e caktuar për 9 janar, ndërsa më pas së bashku me Ligjin e gjuhëve do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i pyetur të komentojë refuzimin e presidentit, Gjorge Ivanov për të dekretuar Ligjin për gjuhën, por edhe fazën e parë të Marrëveshjes me Greqinë, ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore. “Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë kur janë në pyetje kompetencat kushtetuese të institucioneve. Presidenti Ivanov ishte i obliguar që këtë ta bënte, por nuk e bëri, kështu që konsideroj se është një çështje e absorbuar. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve dhe kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.
Ai është shprehur i bindur se amendamentet kushtetuese do të votohen në afatin e paraparë, ndoshta edhe më herët se 15 janari, pasi nuk pret debat nga deputetët, edhe për faktin se VMRO-ja opozitare ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancë, duke e quajtur farsë gjithë debatin për shkak të refuzimit të vërejtjeve të saj që kanë të bëjnë me kundërshtimin e Marrëveshjes për emrin, të cilën e vlerëson si “kapitulluese për vendin”.

Marrë nga: REL

Article Logic
Execution time: 0.0037319660186768