Rritja e temperaturave ka sjell çdo ditë vatra të reja zjarri, duke u shtrirë në disa zona të vendit. Rasti i fundit është shënuar në Shkodër, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së enjtes në orët e vona zonën e Malit Hebe, në Bërdicës.
Zjarri ka rrezikuar rreth 40 shtëpi, ndërsa është djegur nga flakët një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
Fakti që flakët, për shkak të erës së fortë, po rrezikonin të dilnin jashtë kontrollit, në vendngjarje kanë shkuar të gjitha shërbimet e zjarrfikëseve dhe një numër i madh i forcave të policisë së bashku me drejtorin e policisë së qarkut.
Gjithashtu, në vendngjarje ka shkuar dhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e cila në një prononcim për mediat është shprehur se shërbimi zjarrfikës me policinë kanë bërë një punë të madhe për vënien e situatës nën kontroll.
Pas rreth tre orëve, shërbimet e zjarrfikëse dhe të policisë, të ndihmuar dhe nga banorë të zonës, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.